Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 27/04/2024

Scroll to top

KTHEHU LART

TËRËSIA KONVENCIONALE E RRËFIMIT ARTISTIK

TËRËSIA KONVENCIONALE E RRËFIMIT ARTISTIK
Remzi Salihu

1

Para se ta lexoja romanin “Për një mëngjes më ndryshe” të autores Albina Idrizit, sapo kisha të përfunduar romanin “Jeta rimon me vdekjen” të shkrimtarit Amos Oz. Në kujtesë m’u renditën apo të them më mirë, m’u ngulitën një varg pyetjesh dhe nën pyetjesh provokative, të cilat shkrimtari Oz i kishte vënë nëpër reshtat e parë të këtij libri të vlefshëm. Ato janë pyetje të shumta dhe koncize që kanë të bëjnë me procesin e të shkruarit. Që në fillim m’u dukën se janë pyetje thelbësore, të rëndësishme dhe ngacmuese, e që, padyshim, të tillat pyetje mund të vringëllojnë në vetëdijen e çdo krijuesi ndryshueshëm dhe nga kënde të veçanta vëzhgimi e trajtimi. Them kështu mbase secili individ përcepton, gjykon, përshkruan apo e orienton veten sipas shijes së kultivuar që ka, në rrethana e kohë të caktuar. Kjo bindje e këtillë dhe detyrimisht e sofistikuar në mua, si nevojë shkencore, ka të bëjë mirë edhe për të gjithë ata individë të angazhuar që merren me art dhe shkrime të ndryshme, kryesisht duke patur në sfond të vetëdijes së tyre stilin dhe kriterin e preferuar të shkrimit letrar. Besoj se secili njeri që merret me kreativtet dhe art është i shigjetuar apo sprovuar nga këto mendime dhe të tjera pyetje si këto, të cilat pothuajse më tronditin përherë, sa herë që marr të shkruaj apo skicoj diçka. Tani, një pjesë të këtyre pyetjeve të rëndësishme që më lanë përshtypje mua do t’i citoja në këtë shkrim të radhës, për të zgjuar kureshtje te lexuesit dhe te dashamirësit e shkrimit artistik. Disa prej tyre janë: “Përse shkruan? Përse shkruan sipas kësaj mënyre? A mos rrekeni t’i ndikoni lexuesit, dhe nëse ndodh kjo – në ç’krah rekeni të ndikoni? Çfarë roli luajnë historitë tuaja? U vini kryq, i korrigjoni vazhdimisht apo i shkruani drejt prej muzës suaj? Çdo të thotë të jesh një shkrimtar i famshëm, si ndikon kjo te familja juaj?” Përse shkruani… Madje më poshtë thotë: ” Çfarë mendoni për shkrimtarët tjerë; cilët kanë ndikuar te ju dhe cilët nuk ju pëlqejnë… dhe “Si u përgjigjeni atyre që ju sulmojmë dhe si reagoni? Çfarë ndjesie ju shkaktojnë kritikat?… “ dhe shumë, shumë pyetje tjera që janë apo nuk janë interesante për shkrimtarin. 

Kur kemi parasysh të gjitha këto pyetje, në puntorinë kreative të gjithsecilit, çdo autor duhet përherë të ketë gatitje të mirë për një sistem pune të suksesshme, se si duhet më saktë e më bindshëm, akcili autor, t’i shtjellojë ngjarjet që i ka për bazë trajtimi, të parapara apo të fiksuara në mendje, për çdo shkrim, qoftë të jetë ai brumi kreativ në poezi a prozë, me subjekt apo pa subjekt. Sipas kësaj mënyre dhe bindje që themi, çdo shkrimtar është i detyruar të kërkoj mekanizma lehtësuese e të përshtatshme në renditjen e mirë të formës dhe përmbajtjes së përzgjedhur, nëse ka parasysh kriterin e posaçëm dhe më të nevojshëm stilistikor, që të bëhet sa më atraktiv dhe i kërkuar nga lexuesit e rëndomtë dhe profesionalë.

Pra, kur përballemi në punë me këto ndeshje thelbësore dhe detyrime të shumta kreative, estetike, na imponohen në ndërmarrje praktike mjete ndërtimi të leverdishme dhe më së shumti na imponohen pikat e lidhjes së personazheve që kanonizohen sistematikisht dhe në mënyrë dogmatike në ne. Pa këtë sistem pune të koordinuar, nuk do të kishim bërë vepër të mirë. Por as nivel shkrimi të preferuar.  Nuk ka libër pa kompozicion, nuk kemi as krijim artistik pa patur në nënvetëdije kureshtjen dhe organizimin e subjektit të gjuhës së përdorur, madje nga ky aspekt i qasjes jemi të detyruar të mendojmë se si duhet të ndërtohen e zbërthehen personazhet dhe si do të inkarnohen ato veçantitë e tyre karakteristike në një tërësi funksionale, kryesisht për t’u bërë vepra sa më dinamike dhe mundësisht me tension tërheqës deri në fund të rrëfimit. 

2. 

Albina Idrizi, tanimë, në lëndinën kreative të letërsisë është bërë emër i njohur. Ajo e ka dëshmuar dhuntinë dhe inspirimin e saj pothuajse në të gjitha zhanret ekzistuese. Ka shkruar letërsi për fëmijë dhe për të rritur, veçanërisht duke u përqendruar seriozisht te poezia, tregimi dhe romani. Të gjitha këto vëllime të botuara gjatë këtyre viteve, zgjojnë kureshtje te lexuesit dhe studiuesit e ndryshëm. Kjo dëshmi dhe arritje e verifikuar flet se kemi të bëjmë me një autore të përkushtuar dhe serioze, që prurjen e këtyre veprave nuk e ka bërë rastësisht, vetëm sa për të shkruar diçka, apo për të lëçitur anonimitetin në këtë botë digjitale. Por ka qenë, ndoshta, ajo fuqia e brendshme apo e jashtme e saj, që e kanë motivuar (nxitur, shtytur), autoren të merret me këtë punë sublime dhe të rëndë, që, padyshim, kërkon kohë dhe angazhim permanent të strukturimit të ngjarjeve, posaçërisht duke u stimuluar nga kërkesa kohore dhe profesionale apo nga nxitja e brendshme, sublime, për t’i sjellë lexuesit përjetime dhe përceptime jetësore të veta artistike. Madje si e vëzhgon e pranon botën dhe jetën në një kohë dhe hapësirë të caktuar? Siç shihet nga veprimtaria e saj e kultivuar, kjo autore jep fakte bindëse në përkushtimin e saj profesional, për ta pasqyruar realitetin jetësor dhe nënkuptohet qartë se ajo pretendon të sjell një frymë të veçantë në letërsinë shqipe, ndaj kjo vërehet vazhdimisht në sprovat e këtilla dhe në shkrimin autonom nëpër të gjitha zhanret e kultivuara. 

Romani ”Për një mëngjes më ndryshe” e Albina Idrizit, ngërthen në vete, vëmendshëm kompozicionin e duhur që themi tani, në këtë qasje të radhës, meqë në tekst hetohet qartë dhe realisht se çdo subjekt, personazh, ka një konflikt në vete, ku shtjellimi dhe portretizimi i tyre bëhet i kapshëm dhe i rrjedhshëm dhe nuk e humb tipizimin e vet të veçantë gjatë të rrëfyerit në tërësinë e kompozicionit. Kështu, në roman secila figurë e paraqitur reflekton karakterin e vet, që para lexuesve sjell një veçanti të ndërlidhur kompozicionale. Personazhet nuk humben gjatë peripecive e rrugëtimimeve të tyre jetësore pa ndonjë shkak të ndodhur. Shtjellimi i personazheve në mënyrë të natyrshme dhe në formë konvencionale ndeshen në konflikt dhe janë të kapshëm mirë në rrjedhshmëri tërheqëse. Kështu që ekspozicioni dinamik i rrëfimit te Albina bëhet hallka kryesore e futjes së personazhevese natyrshëm në konflikt. Dhe në brendinë e ngjarjeve paraqiten disa veçanti dalluese dhe reale të karaktereve të tyre, bashkë me rrethanat, doket dhe zakonet e jetës së një shoqërie tipike, me tradita të theksuara kombëtare. 

Në fillim të veprës ndeshen në skenë përshkrime e përceptime të standardit jetësor dhe sidomos paranjohuri të shumta për dhomën e pritjes së mysafirëve, e cila ka një histori dhe jetëgjatësi qëndrese që nga viti 1878. Kjo hapësirë arkitektonike e trashëguar (oda e burrave), brez pas brezi, sjell ngjarje të shumta të jetës dhe të atyre viteve të hidhura deri në ditët e sotme, sidomos kjo vërehet kur shpalohen në veçanti ato rrethana të rënda të së kaluarës që i ka përjetuar familja Tërnofci dhe popullata e sakrifikuar e kësaj ane. Shpërnguljet e vazhdueshme të këtyre trojeve nga dhuna dhe politika hegjemoniste, e vendosur nga njerëzit të ardhur nga Karpatet, e kanë bërë jetën e vështirë të njerëzve, por aty nëpër atë katrahurë dhune të paramenduar, shihet guximi dhe qëndresa e njerëzve nëpër këto rebeshe kohe. Kurse sipas të dhënave historike shumë familje edhe janë shpërngulur dhe asimiluar. Siç dihet mirë nga historia e shkruar janë përdorur metoda të ndryshme të pakësimit të numrit të tyre. Mbi këtë popullatë të pafajshme, në mënyrë të vazhdueshme i është bërë kërcnim, dhunë dhe shfarosje. Sa për plotësim dhe argumentim të këtij detaji rrëfimor, të Albina Idizit, po plotësoj disa të dhëna faktike dhe historike të kësaj ane se mbi dyqindmijë njerëz janë vrarë dhe me mijëra njerëz të tjerë, të trazuar e shpërngulur, (lexo të dhënat e historianit Jusuf Osmani ”Pushtimi i tokave të Sanxhakut të Nishit”). 

Pikërisht nga ky vend dhe udhëkryq jetësor, në romanin “Për një mëngjes ndryshe” të Albina Idrizit, bëhet edhe lidhja e personazheve dhe ndeshja e tyre me shkakun e subjektit. Në këtë vend dalin në shesh interesat e tyre morale, vuajtjet familjare, politike dhe shoqërore. Shkaqet e lindjeve dhe vdekjeve, dashuritë dhe pikëllimet e njerëzve. Kështu në këtë vepër pikë lidhje bëhet plaku Bejtë me djalin e tij të madh Prof. Drinin, që kishin ardhur për vizitë në konakun e kësaj familje të ndershme dhe me tradita kombëtare. Dhe në këtë pikëtakim del tema sociale dhe politike e kohës, doket dhe zakonet e trashëguara, por edhe shumë ngjarje tjera historike, të lidhura me këto motive. Po ashtu, këtu bëhet edhe forcimi dhe lidhja e familjes Tërnovci me familjen kosovare. Këto dy familje fisnike, posaçërisht, bëhen miq duke ia kërkuar dorën e fejesës vajzës, (Mirushes) së Ali Tërnofcit nga plaku Bejtë, për djalin e vet, i cili është ushtar në ish Jugosllavi. Lidhja e tyre bëhet sipas traditës, por është një lidhje e pafat, ngase Agroni vritet në ushtrinë e Jugosllavisë. Ndërsa nga organet e sigurimit ushtarak shtetëror këtë akt makabër të vrasjes, e kthejnë si vetëvrasje. Autorja me këtë personazh dhe ngjarje të trishtueshme, sjellë para lexuesve një të vërtetë të hidhur se pas demonstratave të viti 1981, shumë të rinjë janë kthyer të vdekur në familjet e tyre dhe kurrë nuk është ditur vrasja e vërtetë. Por nga kjo ngjarje, për të mos u prishur miqësia e këtyre dy familjeve fisnike, Mirushja detyrohet të martohet me vëllain e Agronit, Metin, i cili për nga pamja dhe portreti nuk ishte si pamja e fotografisë së Agronit, pasi Meti kishte pasur në fëmijëri një zënkë dhe gotditje me pasoja trupore nga bashkëfshatari i tij, për do gjëra ulëta inatesh e pronësie. Megjithatë, nga devotshmëria dhe edukata e Mirushes kjo familje trashëgohet me një djalë, i cili pagëzohet me emrin e Agronit të vrarë. Lidhja e fortë e këtyre familjeve forcohet edhe më shumë kur motra e Mirushes, Ema bëhet nusja e Gurit, djalit të Prof. Drinit, që është nipi i plakut Bejtë.

3.

Romani “Për një mëngjes ndryshe” i Albina Idrizit  është një katapultim ideor artistik i qëllimshëm dhe i sistemuar mirë sipas nevojës së pranisë së autores, si përceptuese dhe vëzhguese të ndodhive të përjetuara dhe nga shtytja fiksive e konsumuar në imagjinatë se duhet të rrëfej diçka për kohën e përjetuar dhe të njohur, ku në fushën e veprimit artistik gërshetohen spontanisht shumë gjëra dhe ngjarje të jetës dhe shoqërisë njerëzore, posaçërisht të asaj shqiptare, në një kohë të caktuar veprimi. Në roman, pos dashurisë, gërshetohen edhe shumë rrethana tjera shoqërore nga e kaluara e që lidhen drejtpërdrejtë me doket dhe zakonet e trashëguara të kësaj ane. Madje, në rrëfim e sipër ngjeshet një pluralizëm motivesh dhe idesh të parapëlqyera. Aty nuk mbeten pa u futur edhe imazhe të politikës së kohës, në Kosovë, demonstratave e minatorëve dhe studentëve,  pajtimi i gjaqeve dhe probleme tjera sociale të të rinjve të varur nga droga, vjedhja, mërgimi, si dhe veti tjera negative siç ishin zënkat dhe hakmarrjet për gjëra të ulëta. Por autorja duke tipizuar vëmendshëm personazhet e romanit, e orienton lexuesin kujdeshëm edhe nëpër do vlera të veçanta e të trashëguara të popullit, siç janë: mikpritja, fjala e dhënë, dashuria e sinqertë, solidariteti dhe mbi të gjitha portretizimi i bukur dhe fisnik i gruas shqiptare, e cila është shtylla kryesore e shtëpisë tradicionale, për rendin dhe mbarëvajtjen e familjes së shëndoshë. Sidomos kjo kulturë hetohet në ngritjen dhe rolin e saj të rëndësishëm që luan gruaja nëpër familje të ndryshme. Shpalohet ndjenja e brendshme e femrës, e cila përjetohet e sublimohet në brendi psikologjike më ndryshe sesa te mashkulli. Në këtë rast femra sakrifikohet dhe mundohet t’i korrigjojë anomalitë e të tjerëve. Sidomos devijimin e Gurit në rrethana të caktuara të marrjes së tij me vjedhje dhe drogë, Ema mundohet ta kthejë jetën e rëndë në dashuri e punë dhe sidomos në durim të përhershëm. Pra, shumë domethënëse në roman është gërshetimi psikologjik i natyrshëm i ndjeshmërisë femërore e që autorja mjeshtërisht e ngjesh te personazhi kryesor, Ema, e cila mbanë edhe rolin e naratorit të kësaj vepre, pasi rrëfen dukuri njerëzore në vetën e parë. Këtu vlen të përmendet edhe rasti intim i personazheve, posaçërisht kur Ema takohet me Gurin përherë të parë dhe prekja e duarve të saj nga duart e të dashurit. Takimi i parë shpalon një ndrojtje të natyrshme kompleksive. Pra, ky akt intim, në brendi të ngjarjes krijon atmosferë shumë sensibilizuese e romantike, siç nënkuptohet bindshëm nga përshkrimi real, mu në momentin kur bëhet prekja e duarve nga Guri, për t’ia ngrohur gjymtyrët e ftohta të dashurës së vet, ajo në atë çast nga prekja shqetësohet dhe thotë diçka të rëndësishme në vete: “Më erdhi turp nga gërvishtja dhe të çarat e gishtërinjve nga pastrimi i fundit i shtëpisë”. Këtu shfaqet bota e brendshme e femrës dhe ndjenjat e saja të çiltërta femërore. Nga kjo gjendje e përjetim trupor e mendor, kuptohet realiteti gjinor, se ndryshe janë ndjenjat e një femre kundrejt një mashkulli, dhe në këtë rast përceptimi, ndryshe janë ndjenja e burrit, gjegjësisht të Gurit, si qytetar i pa munduar nga jeta, që duart e tij janë të buta dhe të pa forcuara sa duhet nga puna, dhe shumë situata tjera vendimtare, ku tregohet e ndjehet burrëria. Ema me përmasat e karakterit të saj bëhet edhe më e guximshme dhe e vendosur në bindjen e saj, për mbarëvajtjen e jetës. Ajo duke i barikaduar, me urtësi e sjellje, anomalitë e njerëzve dhe të shoqërisë, në njërën anë dhe, çiltërsinë e shpërndarjes së fuqisë së dashurisë së sinqertë, për mbarëvajtjen e familjes, në anën tjetër, bëhet shumë e fortë dhe e vendosur në momente vendimtare të jetës së saj. Por ajo di të bëhet e butë dhe shumë tolerante në situata e rrethana të caktuara. Ajo edhe sakrifikohet për ta ndryshuar për të mirë gjendjen, rrethin dhe familjen. Secili personazh në roman  ndërlidhet në ngjarje natyrshëm, pa e humbur veprimin e vet tipik, për të treguar një ngjarje që ka ndodhur, apo ndodhi të tjera të shumta e të fiksuara në ide nga shumë ngjarje të ndryshme që u kanë ndodhur këtyre dy familje apo kësaj popullate nëpër rrjedhat e kohës. 

4.

Personazhet e Romanit “Për një mëngjes ndryshe” të Albina Idrizit shëtisin nëpër vende të ndryshme dhe kjo lëvizeje e tyre bart në vete edhe mënyrën e njohjes së jetesës së një vendi ku ndodhen ato. Kjo zhvendosje e personazheve bëhet spontanisht dhe me vetëdije kreative të autores, duke patur për bazë seleksionimin dhe mikrokozmosin e përzgjedhur kreativ, si kriter rrëfimi, ngase në brendi të tekstit koordinohen metonimia dhe sinekdota e preferuar, që bëjnë renditjet e tyre tërësore nëpër ngjarje të shumta, me të gjitha kundërthënjet e imponuara të jetës. Kështu personazhet dalin me shkak edhe jashtë vendit, ku sjellin në skenë edhe mënyrën e vështirë të mërgimtarit apo peripecitë e jetës së vështirë të azilantit. Nga kjo pamje e rendit të ri global, shihen edhe shkatërrimet e shumë familjeve që kanë përjetuar këtë jetë të rëndë të mërgimtarit. Shfaqen pasoja të devijimeve të shumta të njerëzve nëpër rrethanat e ndryshme të integrimit dhe vështirësive tjera të imponuara nga kushtet e krijuara jetësore. Aty hetohen edhe anomali tjera jofunksionale nga mosnjohja e ligjeve sistemore të atyre vendeve perendimore, që janë bërë pengesë dhe vështirësi të njerëzve.

Romani ”Për një mëngjes ndryshe” mund të themi se i përmbush kriteret letrare dhe teorike të standardizuara të shkrimit, për t’u bërë rrëfim tërheqës dhe interesant te lexuesit. Edhe pse në tërësi ngjarjet dhe tema të këtilla janë të trajtuara dhe të njohura në letërsinë shqiptare, Albina Idrizi në roman jep konotacion e vet mjeshtëror të rrëfimit dhe të mbarëvajtjes së rrjedhshme të ngjarjes. Bota dhe situata përceptohet vëmendshëm nga këndi femëror. Shumë pyetje të shkrimtarit Amos Oz, që i shtrova në fillim të këtij shkrimi, si duket, te shkrimtarja Albina Idrizi janë marrë parasysh dhe i ka vënë në përdorim të kreativitetit të rrëfimit të saj. Ato pyetje duken në tekst, si paranteza të nënkuptuara, e që orientojnë autoren kah përgjegjësia dhe vetëdija se shkrimi kreativ kërkon njohje, përvojë, dije dhe sistem pune serioze.



*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.
Më të reja

Ky është artikulli i fundit.