Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 05/06/2026

Scroll to top

KTHEHU LART

Shtëpia shitet! - altereffekt.

Shtëpia shitet!
Taulant Salihi

Dje, në këshillin komunal, u votua shtrenjtimi i shërbimit për mbledhjen e mbeturinave nga kompania private, ndërsa pushteti tentonte ta paraqiste këtë sikur ata e kishin negociuar e ndaluar rritjen më të madhe, në një “luftë” përballë privatit, të cilin vetë e kanë sjellë. Unë munda ta ndjek vetëm një pjesë, sepse seanca e djeshme ka qenë ndër më të gjatat, por nga ajo që pashë, lirisht mund të them se Agroni nga Më mirë për Tetovën me dinjitet mbrojti interesin e përbashkët qytetar nga keqmenaxhimi të cilin në fund duhet ta mbulojnë qytetaret. Kjo, natyrisht, nuk u prit mirë nga kasapët e së përbashkëtës dhe, si përherë, kulmoi me akuza tipike të një mendësie të helmuar me haxhuzllëk udbashërie, duke tentuar të shpifin apo të njollosin përmes interpretimeve të të dhënave personale e familjare. Kjo u bë edhe nga vetë kryexhixhi i komunës, duke tentuar të bëjë atë që e bën gjithmonë, të baltosë me shpifje në publik, me shpresë për të denigruar ata që nuk përulen, por me çka në sytë e qytetarëve të lirë vetëm përul veten.


Votimi i djeshëm është një goditje për xhepat e qytetarëve, por poshtërimi më i madh është kur ata që e sollën këtë realitet, duke e ditur se nuk kanë asnjë arsyetim, pa turp dalin dhe i japin lëvdata vetes, kinse kanë bërë një vepër patriotike duke e zvogëluar pak përqindjen e rritjes së çmimit. Vetë e sjellin rritjen, vetë e zvogëlojnë, por duke u fshehur pas “armikut” privat, sepse vetë nuk munden të menaxhojnë ndërmarrjen publike, se atëherë shtrenjtimi do t’u kthehej drejtpërdrejt në vota. Megjithatë, dje pashë edhe shpresë se qëndresa qytetare dhe zëri kritik do të forcohen edhe më shumë dhe se gjërat po ndryshojnë, ndërsa kjo kasaphanë nuk do të zgjasë edhe shumë.



*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.
Më të reja

Ky është artikulli i fundit.