Fitore e vogël në betejën për të përbashkëtën! - altereffekt.
Kur filloi intervenimi pranë xhamisë dhe aktivistët ngritën alarmin për këto veprime, kam përmendur se kujdestaria dhe mbikëqyrja e punës së organeve dhe nëpunësve publikë fatkeqësisht na është bë detyrim qytetar. Përndryshe, keqpërdorimi vazhdon dhe do të vazhdojë. Për fat të keq, ky është një shembull i rrallë kur interesi publik fiton përmbi interesat individuale dhe intervenimet e pamenduara mirë, por që na rikujton se interesi i përbashkët duhet të qëndrojë mbi interesat e ulëta të grupeve të vogla.
Përfundimisht, dhe pa arrogancë, ky është edhe rikujtim se nuk duhet t’u thuren lëvdata e bëhen lajka në raste kur nëpunësit dhe administratorët publikë e bëjnë punën e tyre. E di që standardin e kemi ulur shumë poshtë, por fundja, është detyrim që e kanë marrë dhe i cili mundësohet nga paratë e qytetarëve. Fokusi i tyre duhet të jetë puna reale, e jo interpretimi dhe propaganda online, edhe pse me këtë të fundit i fitojnë zgjedhjet. Megjithatë, qytetarët nga kjo s’kanë asnjë përfitim në vepër. Përkundrazi, ata duhet t’i kritikojnë ashpër dhe reagojnë kur këta të parët nuk e kryejnë punën e vet ose kur bëjnë veprime absurde e të gabuara. Propagandën dhe agjitacionin partiak le t’i financojnë nga fondet partiake, ndërsa detyrimet publike në kushte ideale duhet t’i kryejnë pa i lodhur qytetarët. E thjeshtë në teori, por komplikohet në praktikë.
Gjithsesi, përgëzime për të gjithë qytetarët që ndikuan në një intervenim që mund të duket i vogël, por që është një fitore e qytetarisë aktive për interesin e përbashkët dhe ruajtjen e simbolit të qytetit, për të cilin kemi edhe shumë punë dhe ndërhyrje tjera estetike dhe praktike për të bërë!

Nga 13 nëntori 2025
Po ta zëmë se vërtet ka nevojë për ndonjë barakë informative, atëherë si mundët nga gjithë hapësira e parkut të gjeni vendin 2-3 metra afër hyrjes dhe murit për ta shëmtuar pamjen e objektit më të rëndësishëm në qytet. Ky veprim reflekton mëndësi tregtare, ku klienti duhet të ketë qasje të shpejtë në shërbim për t’ia marrë keshin. Për ide, pasi ndoshta ju mungojnë, pjesa ndër trotuarin ka mundur të improvizohet dhe mos ta prishë dhe shëmtojë pamjen. Këto veprime edhe lënë dyshime të arsyeshme për përfitime të grupeve të ngushta që kanë plane tjera dhe e shohin edhe Xhaminë e Pashës si pronë private familjare.
Mjaft më me kësi trika dhe mashtrime të ulta duke abuzuar fuqinë politike. Largoni këtë barakë nga ky vend dhe mirëmbani si duhet parkun dhe parqet tjera që janë lënë pas dore apo kthehen në beton të oligarkisë provinciale. Bëni punën me nder!
(Në postimin më poshtë përmendet zhvillimi kronologjik i ngjarjeve ku dëshmohen qëllimet për manipulim të publikut, fillimisht pas reagimeve ndaj vendosjes së bekatonëve.)




*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.

