Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 07/03/2026

Scroll to top

KTHEHU LART

Dokumentimet e qenies - altereffekt.

Dokumentimet e qenies
Taulant Salihi

Historia e fshirjes së gjurmëve të masakrave të Monopolit dhe anashkalimi i rëndësisë së përkujtimit është standard dhe thelbi i këtyre shteteve që kanë fabrikuar ekzistencën e vet historike. Praktikë e zakonshme e shteteve kudo, mirëpo në shtetet e ish Jugosllavisë socialiste kurrsesi nuk guxon të rishikohet kjo periudhë sepse e vë në pyetje thelbin e fabrikimit identitar. Për palën përfituese nga këto rrethana historike të cilët brenda nate kanë ndërruar uniformat ideologjike (shndërrime instante në partizanë) vetëm për mbijetesë dhe për të gjetur fajtor tjetër për krimet e veta, deri diku ka logjikë, sepse në fund kanë përfituar shtet prej asgjëje, në bazë të luftës kundër armikut ideologjik (por në realitet kundër shqiptarëve dhe bullgarëve që nuk ndryshuan anë brenda nate). Por për shqiptarët është një turp dhe disfatë kolektive, për më tepër që për hir të një pushteti të vogël lokal, edhe studiuesit në periudhë prej vetëm 2 viteve ndryshojnë qasjen dhe refuzojnë të flasin vetëm për të ruajtur mikro-privilegjet e përkohshme.

Ky është standardi dhe definimi për qenien politike të popullit tonë, që pranon zgjidhjet e lehta të përkohshme. Gjithashtu këtu është edhe mësimi për veprimtarinë të cilën ne e kemi anashkaluar historikisht, dokumentimin. Sepse dokumentimi, qoftë edhe në formë kujtimesh të shkruara është thelbësor për pasqyrimin e identitetit dhe fakteve të së kaluarës për të ruajtur dhe për të na rrëfyer të vërtetat e vetes.

Pa dashur të minimizoj mundin e dhënë, më duhet të theksoj se edhe në rrëfimin e Marin Memës, shoh një relativizim të fshehur për qasjen e PKSh-së, që edhe nuk duket e qëllimshme, por tregon që edhe Shqipëria duhet të rishikojë këtë periudhë, edhe nëse kjo do të thotë dridhjen e themeleve të shtetit. Rishikim i mirëfilltë, e jo si që është zakoni nëpër këto vende, për ta shfrytëzuar si arsye për linçime politike.

Shkrepje e marrë nga dokumentari i Marin Memës



*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.