Relativizim i urrejtjes - altereffekt.
Me padurim është pritur relativizimi i gjuhës së urrejtjes, bile edhe nga presidentja e shtetit, dhe pasi nuk kishte asnjë sharje, janë kapur për brohoritjet për Iliridën në ndeshjen kualifikuese për Ligën e Kampionëve të Shkëndijës kundër Karabagut. Edhe dënimi për valvitje të flamurit “autochthonous” ka ardhur me procedurë të shpejtë përkundër mosreagimit për thirrjet e drejpërdrejta anti-shqiptare nga tifozët në sallën në Kumanovë në prani të kryeministrit dhe udhëheqësisë shtetërore.
Por çka është ndryshe thirrja për Iliridën apo Shqipërinë Etnike me brohoritjen për Maqedoninë? Apo brohoritjen për Maqedoninë, pa e thirrur me emrin e plotë “e Veriut”?
Për shqiptarët, ky emërtim për shtetin gjithmonë ka qenë një pagëzim i importuar për një territor që deri më 1945 asnjëherë nuk ka qenë i emërtuar si i tillë, apo së paku 80% e territorit që sot thirret i tillë, përgjatë historisë ka pasur emërtime tjera (Dardania dhe Paeonia, pjesë nga Vilajeti i Kosovës apo Manastirit, Vardarska apo Juzhna Banovina, etj.).
Së paku ideja e Iliridës ka origjinë dhe bartës të qartë politik. Për më shumë, në thelb paraqet të drejtën për vetëvendosje dhe assesi nuk mund të interpretohet si ksenofobi apo gjuhë urrejtjeje (qesharake kur kjo vjen nga “kominterna” e Helsinkit – Shkup, që ende nuk munden të kapërcejnë veten dhe të bëjnë shkrime edhe në shqip). A i bie kjo se ne nuk kemi të drejtë ta quajmë vendin ku jetojmë ashtu si duam dhe medoemos duhet të pranojmë emra të importuar nga ideologjitë rilindase bullgare, “autonomiste” apo përfundimisht ato titiste!?
Për ta përsëritur: mungesa e edukimit politik te shqiptarët e sjell këtë normalizim të shkeljeve flagrante, hyzmeqarllëkut, dhe të jetuarit si imigrantë në territor ku jemi dhe kemi qenë vendas. Kjo mungesë reflektohet në nivelin skandaloz të përfaqësimit politik, ku partitë janë shndërruar në agjenci për “sociallna“ për militantë të dorës së dytë dhe tenderë për ata të dorës së parë. Mentalitet nënshtrimi dhe mungesë dinjiteti që në formën ekstreme mund të tipizohet me Judenratin e getos apo me kolaboracionistët e regjimit jugosllav si shembull më i përafërt. E pasi nuk kemi paraparë mekanizma mbrojtëse nga mbisundimet dhe manipulimet numerike në legjislacion, është i patjetërsueshëm krijimi i një plani B për të përballuar situatat e brishta politike si kjo e tanishmja, si refuzimi/bojkoti për pjesëmarrje në institucionet shtetërore deri te organizimet e institucioneve alternative politike për shqiptarët. Opsione jo të thjeshta, por që doemos duhet konsideruar seriozisht që një herë e përgjithmonë të ua largojë idenë se shqiptarët mund të trajtohen si pakicë kombëtare në këtë shtet.

*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.

