T’i shpërblejmë edhe me 4 vite? Jo, faleminderit! - altereffekt.
Nuk kisha ndërmend të postoj, por ky rikujtim i para 4 viteve ma kujtoi se për çdo shpërblim e mirëbesim ka llogaridhënie. Përkundër linçimit dhe luftës për shuarjen e iniciativës Më mirë për Tetovën, qytetarët e lirë vendosën që ajo të kthehet në këshill, ku besoj se do ta mbrojë interesin publik pa kompromis. Kur e sheh se edhe një tjetër adminsitratë nuk realizoi asgjë prej premtimeve programore, tregon se shumica hynë në garë me ide renderash (e kom ni ide t’fourtë) dhe dalin me improvizime që i shesin duke paguar propagandues të portaleve apo faqe e profile fejk, të cilët bëjnë gjysmën e punës. Bëhet fshehja e kontratave nëpërmjet mangësive ligjore, përkundër premtimeve të mëdha për transparencë.
Nuk më impresionojnë propagandat e planifikuara ditore nga shtabet partiake, sepse veprimet politike gjithmonë kanë folur boll për këdo që i ndjek që të ketë gjykim të drejtë. Përgjithësisht çdoherë kam pas tendencë opozitare për politikat brenda shtetit, sepse gjendja politike gjithnjë ka qënë aq e brishtë saqë ka qenë e turpshme të përkrahësh pushtetet që të thonë se gjithçka është në rregull. Kam votuar për dënim dhe mosvazhdim të mandatit në 2013, edhe në 2017, kur figura që sot konkuron për mandat të dytë humbi dhe aspak nuk ishte në vijë me ideologjinë time politike e as nuk kisha ndonjë pritshmëri. Dënova mosrealizimin e premtimeve me të cilat u votua kryetarja paraprake, si dënim për dështimin e atij tjetrit paraprak. Në atë kohë, ajo kishte përkrahje të plotë prej gati gjysmës së këtyre që tash i shajnë me shumë entuziazëm.
Opozita e sotme disi vazhdon të mbetet peng i figurave që vetëm kur i shohin njerëzit, ftohen për të votuar. Padyshim, njerëzit me potencial të mirëfilltë do të refuzojnë të hynë në kësi moçali politik. Ç’është e vërteta, nuk është se kam parë shumë të tillë në aktivitetet publike dhe në rrugë në këtë fushatë, por sa herë ju kujtohen njerëzve ata që e shohin politikën si mundësi për të avancuar veten, edhe kandidatin më të mirë të mundshëm ta kenë, u jep averzion, edhe nëse ndoshta është vërtet zgjidhja më e mirë. Duhet kuptuar se figurat publike harxhohen nga ekspozimi i gjatë, edhe nëse s’kanë bërë keqpërdorime. Nëse vërtet e duan subjektin e tyre, duhet të punojnë duke u tërhequr vërtet. Apo ta provojnë biznesin privat apo edhe mërgimin pas shumë vitesh funksione publike. Besoni, mbijetohet edhe kështu, por, si e si, shumica e tyre tashmë kanë siguruar nga një punë shteti që dyshoj se vërtet e meritojnë.
Sidoqoftë, ne edhe herën e kaluar votuam një kandidat që paraprakisht bënte dhe vazhdon të bëjë lëvizje skandaloze për të mbijetuar në politikë (këtë që e kemi tash), vetëm për të dënuar kandidaten tjetër. Për t’i folur faktet, këta që erdhën dhe janë ngjitur për komunë e me çdo kusht duan të rrinë aty, nuk dinin gjë prej menaxhimit komunal dhe vitet e para i kaluan duke i mësuar qoshet e sistemit lokal. Programin me ide t’forta dhe zgjidhje fantastike për çdo problem e hodhën menjëherë, sa nisën ta shohin se komuna nuk është vetëm ide dhe dizajne renderash, por labirinte burokratike dhe marrëdhënie të komplikuara njerëzore (shtoja kësaj shfrytëzimin e resurseve komunale për mbijetesë politike me sigurimin e votave). I lanë premtimet dhe nuk realizuan asgjë nga programi (këtë mund ta vërtetojnë të gjithë), për të përfunduar me improvizime të asfaltit parazgjedhor, fushatë të egër propagandistike e mundësuar nga instrumentalizimi i pushtetit lokal e qendror (nëpunës që paguhen me para shtetërore në shërbim të partisë apo të luftës që kryeministri e ka me liderin e opozitës shqiptare), kontrata për votë, si dhe shantazhe dhe premtime/kushtëzime për punë apo përfitime. Teknikisht, bënë e shfrytëzuan gjithçka që kritikonin paraprakisht, por me ngjyra dhe fjalë tjera.
Por njëlloj si këta aktorë politikë që kanë kërcyer prej partie në parti, qytetarët (posaçërisht ata ekonomikisht dhe politikisht të pavarur) nuk kanë nevojë të shprehin lojalitet të përjetshëm në këtë lojë të ulët politike. Si e si, nuk është se partitë këtu ofrojnë dallime të ideologjisë politike. E kam thënë në fillim të fushatave zgjedhore dhe e përsëris. Unë s’mendoj se prap duhet të shkojmë me improvizime 8-vjeçare. E bënë edhe këta qejfin, dështuan të realizojnë programin. Ndoshta disa njerëz preferojnë të mësojnë në mënyrën e egër, unë jo. T’i shpërblejmë dhe t’u japim edhe një shans dhe të kemi edhe 4 vite prej këtij trajtimi? Jo, faleminderit! Le të jetë kjo mësim që zgjedhjet tjera të përgatisim kandidatura dhe programe të mirëfillta, e jo të dhënme të kosës me ide t’forta. Përfundmisht, dua të vazhdoj të kem shpresë se ndoshta do të shtohen figurat e reja në të gjitha taborët, që do të kultivojnë mendimin kritik dhe do ta ngrejnë nivelin e politikës tonë në këtë shtet, ku realisht rrezikojmë të kthehemi në gjendjen e paraluftës, dhe këtu faji është i të gjithëve së bashku, dikujt më shumë e dikujt më pak. Ideali i zgjedhjeve mbetet liria për të bë zgjedhje përtej zinxhirave dhe kushtëzimeve që ua marrin gjykimin personal. Votoni për kë të doni, por votoni të lirë!
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.

