Raporti i radhës... - altereffekt.

Ende se kam pa një gazetar/e shqiptar/e t’i kërkojë ndonjë politikani t’ia përkthejë intervistën edhe në shqip. Në të kundërtën, me sa komoditet, dhe në raste me arrogancë, kërkohen gratis përkthime nga folësit shqiptarë në vend që të mësojnë shqipen bazike apo punësojnë ndonjë përkthyes. Kjo është pasqyrim i pabarazisë së përgjithshme dhe shenjë inferioriteti, edhe pse në letër asnjë shqiptar se ka borxh t’i flet askujt në gjuhë tjetër dhe duhet ta gezojë të drejtën për qasje në shtet në gjuhën shqipe. Përkundrazi, shoh pranim dhe normalizim të këtij absurditeti që shoqërohet me tallje nga vet shqiptarët, përfshirë edhe profesionistë mediatikë.
Ky nuk është qëndrim radikal, por në këto rrethana është punë e nevojshme për vetëdijesim dhe emancipim brenda etnisë për të ballafaquar këtë avaz shovinist dhe përjashtues që vazhdon të normalizohet, fatkeqsisht edhe nga shqiptarët politikisht të pavetëdijesuar. Të njohësh gjuhë tjera është vlerë, por nuk mund të lejojmë të na bëhet detyrim, kushtëzim dhe arsye për përçmim, apo legjitimim të narrativës për një tjetër shtet-komb ekskluziv sllav ku ne jemi “pakica” më e madhe në një shtet në Evropë. As nuk tentoj të mbroj askënd, se këta s’ka arsyetim që i shpëton nga humnera që e kanë hapur vet dhe që me shumë gjasa do ta kuptojnë në zgjedhjet e radhës, por ka gjëra dhe interesa thelbësore kombëtare që janë përtej lojërave politike.
Ndër to, dhe në lidhje me ndodhitë e fundit, është edhe sporti, Shkëndija për Tetovën, e cila duhet të ketë status special për të përballuar manipulimet e vazhdueshme politike sa herë afrohen zgjedhjet.
Shkëndija, si një nga traditat e rralla përbashkuese, duhet të ketë në statutin e vet rregulla për mbrojtje nga- dhe refuzim për pjesëmarrje apo paraqitje me figura politike, që nga natyra kanë qëllime shfrytëzimi për propaganda ditore. Është e thjeshtë, ose do ta çjerrim ose do ta mbrojmë nga këto shfrytëzime të ulta dhe do ta ruajmë si diçka që na bashkon.
E për idetë idealiste por të sinqerta për Monopolin, fatkeqsisht dhe me dëshpërim duhet ta themi se jemi larg, dhe kjo është edhe një disfatë kolektive, sepse ne nuk kemi vetëdije për parandalim, e le më për rezistencë në këtë fazë të vonshme.

Fotografia e marrë nga: Miguel Fernández Ibáñez
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.