Mic drop-i legjendar i Zekuas... - altereffekt.
![]()
![]()
![]()
Mbasi e lexova gjithë shkrimin apo epopenë e tani ish liderit të Alternativës, m’u desh të shkruaj dhe padyshim ta përshëndes vendimin dhe t’i uroj suksese në veprimtaritë tjera në jetë. Niveli i shkrimit dhe drejtshkrimit janë padyshim të lakmueshme, posaçërisht për standardin tonë. Nuk dyshoj se në shumë sfera tjera jetësore mund të ketë sukses me kësi përkushtimi ndaj detaleve stilistike dhe drejtshkrimore. Gjithsesi, unë mundem ta gjykoj vetëm për veprimtarinë e tij publike, sepse krejt çka di për të është nga paraqitjet e tij publike, ndërsa personalisht nuk e njoh aspak.
My good man, nuk nevojitet të jesh konzervator, për të mbrojtur grupet e rrezikuara në shoqëri apo të stereotipizuara siç i përmend, e nga ana tjetër të krijoni klimë mesjetare për përndjekje të shtrigave sa herë që nuk ju përshtatet dikush se nuk i nxënë në kornizat e moralit ideologjik që keni paramenduar. Në shoqëri ka më shuma shtresa diskriminimi se sa që ju i shihni apo ndoshta me vetëdije zgjedhni t’i injoroni. Për hir të së vërtetës, unë ndjeja simpati kur me paraqitjen tuaj personale në skenën politike patët guximin të sfidoni idenë e aftësive normative (në anglisht “ableism”) për figurat politike. Unë gjithashtu e mbroj grupin identitar të stereotipizuar që e keni shpëtuar ju, por ju nuk mund ta bëni një gjë të tillë për kategoritë shoqërore (posaçërisht brenda shqiptarëve) që nuk përshtaten me ideologjinë tuaj politike, e për këtë nuk mund të them se personalisht ndjehem i përfaqësuar nga lëvizjet ku keni dhënë kontribut. E sa për nevojën për vetëvendosje të “këtij populli” të ri që paramendoni (padyshim ajo që sugjeroni është shkëputje identitare nga shqiptarët tjerë në bazë të kufijve të imponuar administrativ) dhe refuzimin e përzierjes nga qendrat kombëtare, personalisht atyre do u isha lut të përzihen pak, po të perzihen me sinqeritet e jo si deri tash prej zori. Posaçërisht te ne, në Luginë e në Mal të Zi.
Sidoqoftë, momenti kryesor për të cilin do ju mbaj mend unë, dhe shumë të tjerë, është recitimi i himnit në parlament më 27 prill 2017 dhe ikja bashkë me klikën e atëhershme (Bilallin, Fadilin etj.) të lëvizjes besa e cila do të mbetet si shënim dezertor në histori, posaçërisht pas qëndrimeve gjoja radikale paraprake në fjalime. Këngët dhe prozat janë ok (edhe pse me tekstin e himnit jo aq të saktë), por mu aty e ke se “prej lufte veç ai largohet që është i lindur tradhëtor”. E te etika e shumëfolur patjetër që hyn edhe çështja e trimërisë, të cilën as 500 proza moraliste nuk mund ta mbulojnë e as ta plotësojnë kur nuk e ke. Apo si ka thënë Adem Demaçi për njënin: ka qenë burrë i mirë, burrë i urtë, veç frikacak i madh! Rastësi apo jo, tregimi dhe faktet mbesin se ata që mbetën të votojnë qëndruan në front, dikush u flijua e gati vdiq (Zijadini, që besoj se gjithashtu nuk hyn te kornizat e moralit tuaj), ndërsa disa ikën apo nuk u shfaqën aspak (për shënim që t’i rikujtojmë u larguan 5 deputetët e Besë-s; dhe munguan Menduh Thaçi me një tjetër nga PDSh-ja dhe Ali Ahmeti nga BDI). Ishte ky moment historik që vendosi standard të ri dhe partisë tënde ia mundësoi që sot të ketë udhëheqës parlamenti. Për këtë popull autokton, autonom e automekanik, grand narrativat janë këto momente.
Po mbasi paske pritur të dalësh si fitues, shyqyr që keni fituar (ashtu si keni fituar, nëse keni fituar), e ta krihni këmbën zhag me kësi vendime dhe micdrop-a heroike. Suksese etike dhe jetike…
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.

