Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 07/03/2026

Scroll to top

KTHEHU LART

Dokumentim i kujtesës dhe mbijetesa e gjuhës - altereffekt.

Dokumentim i kujtesës dhe mbijetesa e gjuhës
Taulant Salihi

Çdo herë kur hapet tema për ndodhitë e Masakrave të Monopolit, anashkalimin tonë ndaj dokumentimit të tyre dhe tregtinë me këtë vend, më rikujton se dështimet historike të popujve që zhduken janë të tilla. Grupe të vogla interesi, të kombinuara me fuqitë politike të jashtme dhe pafuqinë për organizim kolektiv përtej interesave meskine të ligushave sjellin dështime kolektive si ky rast, ku tragjedia vuloset nga vet “ne”. Ne ose një pjesë e cila aktron si e jona, por te e cila në gjak e mendje rrjedh vetëm tregtia dhe përfitimi, pa vend për dinjitetin e qenies tonë kolektive. Nga komentet në këtë postim shihet se shumë bashkëkombës dhe bashkëqytetarë i kanë këto rrëfime të afërta për gjyshërit e tyre, të cilët kanë qenë të burgosur, keqtrajtuar, e fatkeqësisht shumë prej tyre edhe të vrarë apo dërguar në fronte të huaja për fatin e të cilëve familjet asnjëherë nuk kanë marrë lajm. Një histori të tillë e kemi edhe me gjyshin (babain e nënës sime), i cili në moshë te re ka shpëtuar gjallë nga kampi famëkeq i torturave dhe ekzekutimeve. Për shqiptarët e Pollogut, malësisë së Sharrit dhe viseve tjera përreth, përndjekja që i ka pasuar asaj që jugosllavët i thirren si “çlirim”, nuk ka qenë ideologjike apo në suaza të armiqësive paraprake ushtarake, por ka qenë përndjekje e përgjithshme etnike, e motivuar nga urrejtja ndaj qenësisë sonë. Shumë njerëz kanë histori të tilla, që fatkeqësisht në të shumtën e rasteve mbeten të transmetuara vetëm gojarisht, ndërsa për shumë tjerë duken si tendencë për mitizim, viktimizim apo vetëglorifikim. Shpresoj që ky rikujtim të jetë një thirrje urgjente për hulumtime serioze nga historianët e të gjitha qendrave akademike shqiptare, që historia jonë të ketë një pasqyrë më të qartë për atë që ka ndodhur këtu në këto vite. Neve na duhen këto dokumentime dhe rrëfime për ta kujtuar dhe mësuar të vërtetën tonë, të cilën do ua mësojmë edhe gjeneratave të ardhshme në shkolla, që kur politikanët në bashkëpunim me oligarkët të mundesojnë shitblerjen e saj, të çohet i gjithë populli në këmbë, e jo të jetojmë me moton: s’e di s’jom pi ktau!


Historia dhe ndodhja gjeografike e tokave tona ka ndikuar që përveç territorit, të na arnohet edhe gjuha dhe kultura, e jo domosdo për të keq në secilin aspekt, por gjithsesi me tendenca të forta për asimilim dhe tjetërsim. Kur qenia jonë zhvishet nga këto arnime, ajo që mbetet është gjuha. Gjuha, posaçërisht format arkaike dhe dialektet e izoluara të saj, që vazhdojnë të mbijetojnë ende si dëshmi të njoma, përmes të cilave frymon shpirti i brendshëm që refuzoi të shuhet. Megjithatë, dehegjemonizimi dhe dekolonializimi duhet të jenë procese të arsyeshme dhe të mos kalojnë në çmenduri paranojake dhe izolim, që nga shembulli i Shqipërisë së brenda-kufijve në shekullin e kaluar e kuptuam se është e pamundur në një botë që çdo ditë shpaloset të jetë më e ndërlidhur mes vete se kurrë më parë. E ndërlidhur, por e dominuar nga qendra të jashtme me fuqi ekonomike, politike dhe ushtarake të paparë ndonjëherë, e që ndikon në kulturat dhe gjuhët tjera, posaçërisht të grupeve më të vogla dhe margjinale, për të cilat paraqet rrezik të hapur për gëlltitjen e tyre.


Këto data janë rikujtime se dokumentimi ruan dhe mundëson kultivimin e qenies së popujve dhe kulturave. Unë nuk sugjeroj folklorizëm dhe vetëm veprime konzervimi të mbetura në kohë nga akademia e uzurpuar nga klanet partiake, por qëndresë, kultivim dhe riprodhime bashkëkohore për të ruajtur veçorinë gjuhësore si cilësi dhe garancë për mbijetesën tonë kolektive, sepse gjuhët dhe popujt që humbin kuptimin e ekzistencës së tyre grupore, shuhen. Uroj të mos e humbim kuptimin e qenies sonë që ka mbijetuar dhe ka pasur kuptim vetëm përmes gjuhës sonë.
Gëzuar 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!



Referenca për shkrimin:



*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.