Krinxh Tallava! - altereffekt.

Shqiptarët po sulmohen nga shteti, po, por këtë herë shqiptarët ish-funksionarë po e përjetojnë përndjekjen dhe diskriminimin standard që shqiptarët e jetojnë si të mirëqenë, sepse shqiptarët dhe populli pa të njofshëm te pushteti janë sulmuar vazhdimisht nga “shteti” dhe nuk është diçka e re. Ky është një problem që shfaq jofunksionimin e organizimit politik të shqiptarëve në këtë shtet-administrativ dhe vet shtetit si të tillë, që përderisa ne mbetemi të paorganizuar në bazë të idealeve mbipartiake dhe pa përkrahje të sinqertë nga shtetet shqiptare, do të vazhdojë të krijojë vuajtje dhe probleme. Kjo nuk duket se do të ndryshojë pavarësisht se cila strukturë politike e bën përfaqësimin (apo e aktron përfaqësimin përderisa individë përfitojnë nga ky “përfaqësim” i supozuar). Por pavarësisht “fajit të kaluar”, si shumica e shëndoshë e popullit, solidarizohem edhe me ish funksionarët kur sulmohen eksluzivisht për shkak të identitetit, ashtu siç solidarizohem (me aq pak sa mundem) për cilëndo padrejtësi kudo.
Ne do të vazhdojmë të jemi të pafuqishëm përballë padrejtësive në strukturën administrative të shtetit deri kur figura të çjerra si bogoevski (që janë pasqyrë reale e karakterit të këtij shteti-komunë posaçërisht kur qeveris e djathta sllavofone) vazhdojnë të shpërblehen me funksione të rëndësishme. Përkeqësimi vazhdon. Ka mbetur kriminelini i Masakrës së Lubotenit të vendoset në ndonjë pozicion kyq dhe të ia vëndojmë kapakin. E këndej, paturpësisht, për të dyja palët shqiptare përtej barrierave kufitare, do të vazhdojmë të bëjmë ceremoni madhështore për një riorganizim sipërfaqësor kufitar.
Nëse për këto zhvillime nuk ke guxim të thuash një fjalë nga frika prej gazdës si shansi i vetëm për ta ruajtur mikropushtetin lokal në zgjedhjet e tetorit, është shenjë e qartë për brishtësinë e përsheshit të zhvillimeve politike, ku një deklaratë dhe disa inskenime janë në gjendje ta ngatërrojnë një koalicion që mezi qëndron. Për këtë, kur ke probleme të dukshme me ligjerimin publik (që duket të jetë në kufijtë e analfabetizmit funksional apo fjalimeve përmendësh pa strukturë të mirëfilltë gjuhësore), të paktën nuk duhet t’u hysh metaforave intersemiotike meta-matematikore se e ‘bojsh shkrom’! S’është llapsuz. Kjo u ndodhë njerëzve që për metodë të përmirësimit të shprehjes gjuhësore kanë përqendrim në mbamendjen e fjalëve në vend se kultivimin dhe ushtrimin e ndërtimit të shprehjeve të plota të fjalive. Në këtë çështje ndihmon leximi i tregimeve dhe romaneve të shkruara bukur. 10-15 faqe para gjumit nuk kushtojnë shumë kohë, dhe në afat të gjatë kanë efekt të dukshëm në përmirësimin e ligjërimit/shprehjes. Por për shoqëri të futur thellë në injorancë nga keqpërdorimi i teknologjisë, nga zhvillimi i vrazhdë ekonomik dhe jopërgatitja profesionale si pasojë e jofunskionimit të sistemeve edukative dhe planifikuese, përvojat emancipuese (shëruese) janë të pavlefshme dhe duhen shkaterruar. Normal që shpetimi do të kërkohet te largimi drejt sistemeve që nuk të mundojnë deri në këtë masë, por gjithsesi të izolojnë.
Ky realitet na rikujton se strukturat kulturore me fuqi në popull, e që prodhojnë diskurs mesjetar, herët ose vonë do të bien në kurthin që e planifikojnë për qytetarët e emancipiuar, sepse injoranca dhe shtirja nuk mund të qëndrojnë përjetësisht dhe këtë sëmundje që e ka kapluar popullatën do ta fitojmë një ditë. Përkundër dëshpërimit, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të shpresojmë për kohë më të mira dhe shpëtim nga humnera e krinxhit dhe sëmundjes shoqërore të tallavasë së egër ballkanike në kulturë, politikë, art dhe religjion!
Me tallawa të vërtetë… Reggae big, reggae little, reggae tallawa, we got tallawa!

*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.