Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 22/08/2017

Scroll to top

Top

MËLMESË E IDHËT NË PJATË KULTURORE

MËLMESË E IDHËT NË PJATË KULTURORE
nga Remzi Salihu

Për shkak të transformimeve të shumta shoqërore dhe tranzicionit të gjatë në Ballkan, jeta njerëzore e kësaj ane kap në shqyrtim shumë enigma e dimensione vlerësuese që janë të rëndësishme për kohën. Pos shpresës dhe dëshirës integruese të njerëzve, shfaqen edhe kërkesa tjera kundërshtuese që i kërkon standardi i jetës së përditshme. Argumentet e dhëna nuk mbeten të izoluara sot, ngase kemi të bëjmë me mjete dhe informacione të shumta për ta orientuar shoqërinë drejtë dhe për të arritur aty ku duam të dalim. Të gjitha këto mundësi, nga ana tjetër e medaljes vlerësuese serioze, u japin kuptim ngjarjeve dhe zhvillimeve të ndodhura politike, kulturore të kohës, që ngjishen me risi nga dita në ditë në këtë pjesë të botës sonë. Njerëzit e ditur dhe fisnik kanë kujdes në veprimet dhe në reaksionet e tyre gjatë përzgjedhjes së kritereve avancuese. Sot dihet bindshëm se të gjitha ato të mira që vijnë pa mbulesë mundi, apo si dhuratë e pamerituar, kanë afat të shkurtë qëndrimi në shoqëri. Prandaj këto të mira dhe shpërblime të ardhura kuturu, nga njerëzit e përgjegjshëm dhe serioz nuk lakmohen, bile as nuk pranohen si mundësi këndshme në mënyrë naive, se ato janë dhurata të përkohshme që ua mundëson momenti i caktuar i histerisë së degraduar shoqërore. Të gjithë njerëzit e kultivuar me rend kanë nën vetëdijen e tyre armaturë bindjesh të forta kombëtare e qytetare, që lidhen fortë në nyje të shëndosh shkencore dhe me kode kulture konkurruese reale në vend e më gjerë. Dhe ky angazhim bëhet për njohje risish dhe përcjellje vlerash të vërteta matanë perspektivës së përhershme njerëzore. Çmimit të dijes i japin kriter estetik kualitativ, kurse bindjen e tyre e shndërrojnë në fiksion metafizik kreativ të ngjeshur mirë në kriter kërkimi koherent dhe kuptimplotë me kohën. Ata në brendi idesh stimuluese plasojnë argumente shkencore të adaptuara rrjedhshëm në kuptim, sidomos të dhënies dhe marrjes së vlerësimit të drejtë në jetë. Nuk vardisen nëpër poste e detyra të pa merituara, për përfitime të majme në përkohshmërinë e jetës. Janë të vendosur në parimet e tyre serioze dhe bëhen bindës në ndërmarrjen e punës së tyre të vlefshme. Ata të mençurit kërkojnë zenitin e harmonisë së vlerës së vërtetuar me kriter, duke vënë norma dalluese në vete, për standarde ekzistuese të mundshme në shoqëri, kurse ata të paditurit lakmitar të etshëm, sipas rastit të dhënë në këtë kohë, i mbyllin këto perspektiva shoqërore të gjeneratave të ardhshme. Nuk dinë të bëjnë dallimin midis shenjës dhe simbolit. Ironisë dhe metaforës, midis shtetit e qytetarit, midis popullit e kombit, rinisë dhe plakjes së vrullit të dëshirave të përditshme.
Lakmitarët merren me gjëra që nuk u takojnë dhe që nuk i njohin mirë. Ato vardisen ‘’huxhumshëm’’ në krye të radhës udhëheqëse karrieriste, me kondicion të brishtë vrapimi grabitin hise qytetarësh, për të mbyllur shtigje shtegtimi në kohë të trazuar civilizimesh. Ato pa vetëdije ‘’kollumen’’ në ato dëshira karrieriste politike të vaginalizuar nga përditshmëria e shëmtuar, siç thotë një mik imi i letrave. Sjellin konfuzion politik dhe errësirë aliteracioni ritmik punësimi të tmerrshëm për gjeneratat. Burgosin perspektiva të mëdha shoqërore. Duan të thuan diçka, por nuk janë në gjendje as ta argumentojnë bindshëm atë dijen e tyre që posedojnë, ndaj bëjnë shumë gafe nëpër debate e emisione të shumta shoqërore. Hedhin teori të pa verifikuara shkencërisht. Hyjnë aty ku nuk duhet të hyjnë. Në shumë raste kyçe për shoqërinë, papandehur dalin disa individë të emocionalizuar keq në ndjenja padurushmërie, gjoja se mbrojnë çështje të mëdha kombëtare e qytetare, por bien në nivele të ulëta konspirative dhe në mosdije të rëndë informacionesh, kundrejt kundërshtarit të vet. Ata me reaksionet e tyre të papërmbajtura vetëm i sjellin dëm shoqërisë dhe kurrgjë tjetër avancuese. Alamet doktorë shkencash të brishta, që i solli shakullina e ‘’demokracisë’’ së brishtë janë duke e fundosur standardin jetësor të shoqërisë. Ata nga pavetëdija varrosin të vërtetën dhe nëpër kopertina idesh të thjeshta grumbullojnë mendime politike e kulture të dobët, njashtu siç janë vardisur keq e njëanshëm nga turma dhe klani i avancuar, sipas shkretëtirës kulturore të poseduar në ambientin grupor e mendor disa vjeçar. Ata bëjnë politikë kalimtare të pa peshë dhe me shtërzim ngarkesash periodizojnë shtrembët ngjarjet e ditës dhe të kulturës. Personazhet e tyre janë individë shterp të mëhallës së shtrigave. Përgjegjësia e tyre prej shkencëtari, sipas së vërtetës së vlerave të arritura e të verifikuara bashkëkohore që ekzistojnë, sot, duhej të ishte emblema kyçe e ndërgjegjes morale në shoqëri. Por etika dhe forma e kallëzuar e tyre në këtë mënyrë të rëndë mendore, ngjizet e vrazhdë në estetikën e ngushtuar të subjektivitetit të orientuar keq në shoqëri. E pavërteta adaptohet pa hiri brenda lirisë së improvizuar. Tani të gjithë lakmitarët e azdisur luhaten dhe shfaqen në djepin e këtij kodimi të përllomshëm numerik e të madh njerëzor, por të stimuluar shtrembët, me hipertension të ngutshëm në shtegtim lakmie, për ngritje autoritative të adaptuar shpejtë e shpejtë, mu në sfond karriere të rrejshme, duke fluturuar me çdo kusht kreshtave të lartësive të pa merituara.
Kështu keq e më keq para opinionit serb u shfaq edhe Nexhmedin Spahiu, i cili me deklaratat dhe gjuhën e cunguar të dijes bëhet tip manipulimi i shumanshëm. E keqja e madhe e këtyre personave, të ashtuquajtur ‘’analist politik’’ është se të mjerët nuk e dinë se s’dinë. Ky tip në arenën mediatike donë të shëmbëllej si individualist i shquar, por nuk ka lidhje me individualizmin dhe idetë që plason. Jep të dhëna të pa menduara mirë dhe dëmton keq rrethin dhe shoqërinë. Ai shkon deri aty me bindjen dhe vështrimet e tij naive duke prodhuar teori shkencore që nuk kanë lidhje me zgjidhjen edhe për ‘’Kombin kosovar’’. Të marrish pjesë në debat politik, gjegjësisht në televizionin shtetëror serb (RTS 1), përballë Ivica Daçiqit, i përgatitur me të dhëna paraprake që më parë dhe të flasësh aq dobët serbishten, për të mbrojtur keq interesa kombëtare, bëhesh një karikaturë e palaço e gjallë para publikut të madh. Opinioni serb përherë është kënaqur me këto nivele të ulëta doktorësh shkencor, të cilët tanimë i kemi me shumicë dërmuese në nahinë tonë. Këto kategori ‘’shkencëtarësh’’ nuk duhet lejuar të ligjërojnë nëpër universitete, sepse asnjëherë nuk dinë të përmbahen dhe të vetëdijesohen se nuk kanë lidhje me veprimet që bëjnë. Për çështje dhe vendime të mëdha kombëtare nuk i lejohet gjithsecilit të flas çka të dojë. Këto gjëra duhet të merren me seriozitetin më të madh. Gjithsesi se njëherë të tillët që marrin hise të flasin në emër të kombit, nga gabimet e bëra do të bien papandehur nëpër përmbytje repartesh të tmerrshme llomi, klisheu e kiçi të izoluar në masë të gjerë, kurse më vonë nga pasojat marra do të prehen të konfrontuar keq në pluhur harrese, kryesisht të dëshpëruar me vete nga njëra anë si njerëz anonim dhe nga ana tjetër të dështuar në kreativitet të mirëfilltë në kohë amorfe, që ua mundëson gjithsecilit pjesëmarrjen në debate. Ata me konspiracionet e tyre do të mbeten në kujtesën e qytetarisë si kufoma diturish të brishta mbi tabut anonimiteti të rëndë dijetarësh dhe analistësh të dobët, gjegjësisht, duke u mrizuar të vetmuar shkurreve të errësirave e debateve të gjata kulturore jermore. Ato nga pamundësia e driblingut politik të shkathtë, do të kthehen të lënduar në jetë të përditshme dhe do të çalojnë përherë në shkencë konkurrencash.
Të gjitha gërvishtjet e tyre emocionale të shpaluara, nga plagët e marra nga mosdija, nën hije avancimesh të egra sistemore, janë duke ngufatur tërësisht shkencën dhe shoqërinë tonë. Kryesisht këto adaptime njerëzish dhe idesh individësh, sot, bëhen për t’u fokusuar rrejshëm me imazhin e tyre në shoqëri. Ato e bëjnë këtë shtegtim të keq për përmbushjen e përkohësisë sistemore të egër, duke u vetëkënaqur me dekorata të porositura interesi grupor, që kurdisin keq ide në masë, më parë verifikimit të drejtë të tyre, sidomos në prezencën shkencore individuale. Të njëjtët madje më vonë stimulohen rrëmujshëm në sistem dhe me krekosje duan të notojnë nëpër mjegull të turbullt kohe. Dëshira e tyre fluturuese, për t’u dukur nëpër këtë qiell të hapur karrierash të dobëta, është e madhe. Shumë individë janë vardisur kësaj hapësire qiellore të pa fund, që është duke e lodhur shoqërinë në tërësi. Më shumë kemi fotografi e selfi, se sa krijimtari të mirëfilltë nëpër rrjetet sociale elektronike. Ky veprim sot është bërë sfilatë e mburrje uluruese e të jetuarit shtrishëm. Ndërrimi i puplave të reja nëpër trup të këtyre shpezëve fluturuese mbi Pension, vjen sa herë që e kërkon oreksi i pangishëm i karrierës së tyre dhe ashtu mbrapsht shumohen në hapësirë të lirë, ku pastaj derdhja e tyre mikse, e pendëve të mëdha e të vogla, anë e mbanë qiellit të hapur kulturor tregon qëllimin e keq të rënies së mjegullnajës së sherrit nga lartë, mbi ta, në grackë të thellë anonimiteti përmbysës. Por mbi këto anomali shekulli, ata të pamerituarit do ta kuptojnë më vonë këtë segment jete të humbur, prej të tjerëve që nuk e lakmojnë adaptimin e lehtë të ngritjes së rrejshme shkencore në eter mburrjesh dhe nëpër këtë fluturim magjik të improvizuar me shpejtësi të madhe në hapësirë dhe kohë të leshtë.
Kjo është epoka më tronditëse që ka sjellë përfitim të majmë të përkohshmërisë afirmative. Prandaj, sot kjo leverdi e këndshme stimulohet me shumicë nga individë të pa kultivuar, që me lavdinë e tyre të trishtë në turmë, lakmohet sot si formë akti veprues dhe si formë e përshtatjes së shpejtë në rrethana, me formalitet reaksionesh e duartrokitjesh të lënduara frenetike në masë, për qëllim grabitjeje individuale të dobët. Mu në dhomë të mbyllur hermetikisht dhe duke u shëmbëllyer me kancer karriere të krisur kthinave klanore. Të konfirmuar haptazi nëpër kuluare, e kolltukë, pa dizajn e pa diverzitet mendimesh të shëndosha në kantierin e punëtorisë letrare, dhe sidomos në kërkimin alternative të shumta moderne.
Këta individ të papërgjegjshëm duke lakmuar karrierë të rrejshme, janë duke bërë çmos në improvizim të keq afirmimi, drejt futjes së tyre të shpejtë nëpër shoqata e nëpër reforma sistemore anësore, që janë të pa kuptimtë dhe të kurdisura nga individë. Turma e manipuluar e ka rëndë ta kuptoj këtë segment jete të individëve, për karrierë të ngutshme, sidomos e mundësuar nga kjo dhunti e të sëmurës së shekullit, që tanimë, e polli intimisht epoka demokratike ballkanike. E polli këtë të shëmtuarën vepruese shoqërore, me metastazë shtirjesh kreative postmoderne, e cila në mënyrë akute vepron dhe shprehet hileqare në ambient formal e lokal të pa sistemuar, për t’i pranuar e arnuar të gjitha këto propozime e vendime reprezentative politike globale, të ardhura nga lart, por duke u përzier dhe implikuar shpejtë e shpejtë në vallëzimin e fshehtë të turbo-folkut klanor pluralist të brishtë këtu te ne, për ta arritur bandat qëllimin e tyre të interesit incest vetjak e të përkohshëm, në qiell të hapur konfrontimesh, pa kujtuar se më vonë këto defekte të përhapura lakmish, janë hakmarrëse për veten e tyre dhe turmën e alivanosur. Të përmbushur me ngathtësi sharjesh e komentesh të krisura nëpër kohë të pa censuruar. Ato reaksione tanimë do të shërbejnë njëanshëm në reagim të pa përmbajtur, si shkak shamatash e shantazhesh të përhershme individësh në rreth shoqëror. Ofendime dhe shpifje të çoroditura do të ketë në arenë kohe, secili kundër secilit, sa për t’u dukur të vlefshëm në akt gjykimi ekzistence komenti të ngutshëm nëpër facebook, dhe sa për të ngarkuar me të dhëna të çarë kokën, në skenë panelesh e polemikash të improvizuara lodhshëm, deri në the qafje anuse mbi zverkun kulturor të brishtë, nëpër festivaleve imituese, pastaj pas kësaj vardisje për të trumbetuar manifestimin e mburrjes së përsëritur për të keq, të ndodhive reale dhe të papagajve të mërzitshëm që bëhen mëlmesë e hidhët nëpër shumë gjella të pa shijueshme. Ata do të zihen shëmtueshëm nëpër kazanë me ngjarje monotone kohe, të cilat ngjarje sot janë duke e helmuar e përmbytur rrethin e pa kontaminuar nga krijimet dhe promovimet e derdhura me shumicë keq, me stereotip antivlerash të imponuara nga kaosi i ‘’copi-paste’’. Kjo dukuri dhe frymë e keqe përhapet e turbullt në dhomë të adaptuar kulture, që mban peng këtë shkëlqim rrejshëm grupor të keq, të lidhur ters në kohë të lënduar nga keqbërësit dhe fatkeqësitë e shumta, e që nga shtjelluesit e vlerave të mirëfillta, tani për tani, qartësohen mirë e mirë në kriter në arenë gjykimi të realët. Kjo më së miri dëshmohet nga vëzhguesit e shumtë të mbledhur në panoramë shqyrtimi, për vlerësim të drejtë e sistemorë në rreth debatesh. Prandaj tërë ky arsenal i ngarkuar motivesh stimulohet sot si metamorfozë e çuditshme trupore e mendore deri në katarsis estetik të thellë kuptimor, të ndjenjës së ushtruar gjatë kohë në debat stine të nxehtë përvojash kulturore, ekzistuese, që janë të adaptuar mirë nëpër kozmosin enigmatik të imagjinatës, por ende të pa zbuluar sa duhet nga thellësia e individëve studiues të ditëve tona. 


*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.
Më të reja

Ky është artikulli i fundit.