Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 19/04/2024

Scroll to top

KTHEHU LART

CITATOMANIA

CITATOMANIA

 

nga Remzi Salihu 

Refleksione e promovime të brishta shkencore e ndërsejnë trishtueshëm urtësinë e mendjes normale të njeriut të këtij vendi. Sot, këto mënyra të ngutshme afirmative, të njëmendësisë së ngushtuar individuale, kanë bërë çerdhe klloçitjesh kulture kolektive, naive, në shoqëri, me përmasë zhgënjyese; ndaj kjo formë e shëmtuar, e dukshme në mundësi kriteri stabil, shihet keq në opinionin e shëndosh të kësaj ane. Këto lloj llakërdirash të derdhura pa nivel e rend të ndërgjegjësuar, zgjaten e stërzgjaten nëpër labirintet e tekave të tyre lakmuese, për t’u dukur sa më të pranishëm në fokus të vëmendjes së ngjarjeve senzacionale, të organizuara sikur nëpër tubimet e kanaxhexheve. Me të njëjtat mjete akordimi melodik të tallavave të brishta, mbahet një decenie isoja e ndërgjegjes së montuar kulturore. Patetizëm i madh e rëndon  kulturën dhe popullatën kësaj ane. Citatomania nuk mund të jetë shkencë, ajo është përmbushje tekstesh e reminishencas të huazuara kur individi nuk dinë çka të thotë diçka të re, i mbulon gjërat në opinion me materiale të huaja. Me të tilla mjete flertimesh gënjehet masa një decenie të tërë. Këto veprime kulturore të futin, tanimë, në gjykime e paragjykime koherence, që t’i mohosh edhe të gjitha të arriturat e mirëfillta të vlerave tjera shoqërore. Vlerat e ulëta që për çdo ditë na e matin pulsin e ngritjes dhe rënies së nivelit njerëzor, kanë lënë në orientim pasoja të papërmirësueshme në standardin e shoqërisë, që tani më me monotoni antivlerash na rëndon trishtueshëm në kokë, si të arritura të dyshimta që nuk sjellin dobi të qëndrueshme për  kohën.
Katandisja e promovimit të keq të vetes, është bërë fenomen lëngate e sëmundjes së rëndë të individëve në mëhallë, të infektuar nga dukja nazike e përkohshme, e cila ta zë me ngut frymën e lirisë së lëvizjes kulturore normale, me lakmitë e tyre të njëmendësuara ngado që të rrotullohesh. Ky makth i madh mendor, i radhitur kështu keq në hisen e kësaj popullate të lënduar nga plagët e shumta të kohës, është bërë fenomen tipik ballkanik, që ka marrë përmasa të hidhura, duke u derdhur pa kriter e rend nëpër kulturë të qelbësuar, si ndonjë shkretëtirë denigruese shprehëse në hapësirë moçali të fëlliqtë. Në këtë shoqërinë tonë të brishtë, kjo hallakamë kulture me truhmosje nivelesh të dobëta, ka marrë formën e klisheut neveritës. Me plagjiatura dhe konvencione shkrimesh jetësore, të adaptuara keq nga arnimet e shumta prej librave të lexuar, dhe me himne kombëtare si në kohën më të vrazhdë të real socializmit, për flirt ‘’patriotik të skaduar’’ kohe e manipulim kombëtar në opinion, promovojnë e avancojnë individë imazhe selfiesh e belfiesh nëpër mjete sociale aktuale, të tejkaluar nga moda.
Llomotitje biografish të huazuara dhe të arnuara një decenie ngufatin njëlloj ndërgjegjen racionale të njeriut të shëndosh. Të gjitha këto lëshime që lënë pasoja civilizimesh, në fokus të vëzhgimit normal të dijes së kultivuar nga profesionistët e vërtetë, e kanë të pa mundur frymëmarrjen e lirë të studimit standard në hapësirë dhe kohë. Kjo stërvitje e keqe nga mediokriteti uzurpues ngushton horizontin e shkencës së mirëfilltë. Ato janë të përbiruar gjithkah e në çdo vend, ku edhe s’ta merr mendja. Ato vjedhin hise të diturish nëpër institucione e asociacione ekzistuese. Individë të papërgjegjshëm që tërë energjinë e vetë e harxhojnë kot, duke manipuluar e rrejtur një decenie shoqërinë dhe vetveten me pallavra e dokrra shkrimesh të bezdisshme. E futin kulturën dhe politikën në qorrsokak. Me njëmendësinë e tyre dribluese ata duan të na i tregojnë mbrapsht kufijtë e zhvillimit politik e kulturor në vendin ku jetojnë. Ato këtë vend të mrekullueshëm e kanë kthyer në humnerën e varfërisë së skajshme. Ky vend, pa stil kreativ e origjinal nuk është i frytshëm, ndaj ka mbetur steril dhe në hipotekë të rëndë të vetëdijesimit zhvillimor. I shërbejnë  status qos- së trurit të ngufatur politik. Dhe kjo katrahurë uzurpuese, siç shihet sot ashiqare nga mjeshtëria e tyre manipuluese staliniste dhe nga perspektiva e keqe e zhvillimit që kemi ne në shoqëri, jep dimension kontrovers të agonisë së përgjithshme.

Shtirshit nuk mund të bëjnë shkencë e përparim të gjithanshëm, ato vetëm mund të vjedhin hise, rrejnë, përshtatin, arnojnë lëkurën e vet me servilizëm dhe shndrisin si kameleonë nëpër kohëra të mugëta. Kurse shkenca e mirëfilltë do standard, seriozitet dhe mjete të sofistikuara dijesh, të verifikuara, që do ta çonin shoqërinë përpara. Të gjitha gërvishtjet shkencore të ngutshme, kështu si janë te ne, tanimë, përgjakin mençurinë e vlerave të verifikuara. Bëhen karikatura nxitëse që vardisen nëpër skema konvencioni të thjeshtë dhe, si kurthe të imponuara kulture të prapambetur, ta tronditin trurin e shëndosh. Me individë servil dhe sahanlëpirës nuk ka përparim të avancuar kulture, prej tyre mund të kemi vetëm, batakxhinjë e manipulator të skajshëm, që qytetarin e futin në huti e labirinte të egra të skamjes denigruese. Ndaj rafalët e tyre të ngutshme promovuese mbanë ison e gjatë të refrenit monoton shkencor të klisheut të dukshëm vrastarë.
Tani a do të kemi nivel kulturor e politik të kënaqshëm e të standardizuar, sikur shtetet e civilizuara perëndimore, kjo varet krejtësisht nga animi dhe nuhatja, investimi dhe nga menaxhimi sistemor i klasës politike. Kjo varet edhe nga superstruktura e rendit shoqëror që kemi krijuar e kultivuar gjatë këtyre viteve gjoja demokratike. Rendi shoqërorë nuk mund të funksionojë pa sistem e drejtësi. Neve të gjithëve na bie hise të shkelim me mendje të shëndosh nëpër këto vështirësi rrugësh alternative që po kalojmë, ndërsa truri duhet të na pjellë mundësi të reja zhvillimi avangardë. Të avancohen zbulimet dhe investimet të reja bindëse. A se shihni se bota e civilizuar edhe qenve u ka ndërtuar hotele dhe mirëqenie për t’u strehuar, kurse te ne për çdo ditë varfëria shtohet dhe shohim pensioner nga skamja, duke i kontrolluar kontejnerët për të mbijetuar!? A nuk janë këto raste rrëqethëse dhe momente trishta, makabre (kur edhe një mik imi poet i mrekullueshëm, por në moshë të thyer, më doli para sysh, me kore buke të nxjerrë nga mbeturinat, se nuk i del pensioni ), dhe kur e kujtojë atë rast të hidhur, më tronditë thellë në zemër?  Por për këtë rrugëtim të shoqërisë, përgjegjësi më të madhe kanë ata individë që kanë marrë hise në poste dhe detyra për ta udhëhequr këtë vend. Ata paguhen për këto qëllime, ndaj duhet të japin edhe llogari për shtegun që po trasojnë e jetojmë. Të gjithë kemi faj për lëshimet e bëra sistemore dhe tolerancën e së keqes së imponuar. E shëmtuara izolohet lehtë, me sukseset e shëndosha të njerëzve të ditur.

Pa investime e veprime novatore të funksionimit shtetëror nuk mund të kemi risi dhe ngritje kulturore të këndshme. Shteti nuk është formë e gdhendur skulpture personale, ane mbanë ‘’atdheut të dashur’’, për të pispillosur kënaqësitë individuale të atyre njerëzve që e drejtojnë atë, por është një tërësi ligjesh që duhet të funksionojnë e zbatohen mirë e drejtë sipas standardeve të pranueshme nga të gjitha palët drejtuese, demokratike të mirëfillta, të avancohet vendi me projekte serioze, për mirëqenien dhe të mirën e qytetarit. Kështu siç e kemi ndërtuar gjendjen kulturore dhe politike duke e rënduar më tej me anomali të shumta e skamje, flasin faktet dhe pasojat e shumta për mosdije, për keq investim e zbatimim ligjor jo të drejtë. Pluralizmi e humb identitetin e vet alternativ të funksionimit të suksesshëm. Në këtë segment të  përkeqësimit permanent të situatës hyn edhe prepotenca individuale ndaj rregullave të ligjshme sistemore. Deshifrimi i kodeve të lojërave politike të partive ekzistuese ka ndërgjegjësuar popullatën për mosbesim kolektiv, dhe këtë nivel kulture e politike të brishtë, e sheh si një formë jo serioze të funksionimit normal. Duheshka të dalë ‘’Zaevizmi’’dhe të pëlcasin ‘’bombat e pakënaqësisë shoqërore’’ që ta trandin trurin e fjetur të qytetarit një decenie, se jemi në agoni ekonomike e kulturore të tmerrshme,  madje të na imponohet e keqja për të kuptuar çfarë funksionarësh e politikanësh fluturojnë në dronin e këtij nën qiellit tonë politik. Kjo hapësirë tanimë kërkon njerëz të ditur e të devotshëm për funksionimin e saj të drejtë, për hapjen e alternativave zhvillimore ekonomike. Shoqëria jonë ka individë dhe ekspert të shkëlqyeshëm që mund ta ndryshojnë situatën për të mirë. Kemi të rinj gjenial që me aftësitë e tyre të rralla mund ta befasojnë botën. E vërteta dhe dija nuk mund të mbahet tërë jetën e rrethuar nga grilat e të paditurit. Përtacia dhe neglizhenca janë defekte vetish inatesh, që mbanë pengë burgimi zhvillimin normal të një shoqërie, që do të mbërrijë standarde integruese, të balancuara me shtetet e përparuara të këtij kontinenti. Vendi nuk zhvillohet duke krijuar varrezë masive kulturore, gjegjësisht,  heroike e historike gjatë shekujve, si në ndonjë tabelë shahu të kufizuar loje. Vendi kërkon investime të mençura. Kërkon art të mirëfilltë. Historia i grish të gjithë njerëzit për të konkurruar në vazhdimësi vlerash dhe etapash kohore menaxhuese të drejta, për mirëqenie të standardizuara, gjegjësisht për promovimin e normalitetit jetësor dhe jo ashtu njëanshëm, në keqtrajtim, në afirmim e kiçit dhe shundit të adaptuar me art të rrejshëm, kryesisht të ngarkuar me mediokritet llave përmbysëse për rreth nesh një decenie të tërë. Grumbullimi i shtatoreve mbi kalë e pa kalë, në një hapësirë të kufizuar vendi, të ngulfat nga romantizmi, tanimë, i tejkaluar nga koha, me këtë mënyrë imponim arti të egër që ta ndrydh shijen estetike të lëvizjes së lirë mendore. Këto improvizime të shtrenjta janë bunkerë romantik të kohës së sotme që pengojnë zhvillimin normalë të një etnie, e kujt do qoftë të jetë ajo.
Kultura dhe historia nuk zhvillohet me zor. Dhuna artistike është diktaturë çintegruese. Kjo formë e aktivitetit banal të kreativitetit të njëmendësuar, sjell vetëm kakofoni dhe monotoni estetike tek vëzhguesit normal që dinë t’i çmojnë vlerat e vërteta . Nuk mund ta kuptoj si mund ta lejojnë njerëzit kompetent këtë vardisje folklorike të shëmtuar të zhvillimit shoqëror. Sa e tmerrshme është kiçi e shundi tek njerëzit e botës së civilizuar. Pse ne pajtohemi me këtë artë të brishtë jetese? Kjo formë jetese është çmim i lirë politik që kushton shumë shtrenjtë. Madje ky romantizëm i skajshëm më duket se është i pranishëm te të gjithë popujt e Ballkanit. Tanimë, ka mbaruar koha kur individi, profesionisti, shkencëtari, duhej t’u ulej në prehër liderëve dhe partive politike, për një copë vend pune të mundshme, kryesisht duke i shërbyer njëmendësisë së skajshme të despotizmit të tij sundues, për mbajtjen e ekzistencës së vet e të familjes. Tani rrënjësisht kanë ndryshuar gjërat rreth nesh, kultura duhet të marrë përmasa tjera zhvillimi shoqërorë, liderët e partitë politike, tanimë, duhet me çdo kusht të bëhen të shkathtë të kërkojnë shtimungun e vlerave të mirëfillta civilizuese, të ulen në prehër të profesioniste, për t’u çliruar tërësisht nga ky makth i njëmendësuar e vdekjeprurës, nga keq menaxhimet dhe improvizimet e tyre të shumta, kryesisht, për  t’u shkuar punët mirë dhe si duhet përpara, ngase me prapambeturi dhe frustacion të përshtatur kalimthi në kohë improvizimi, në keq menaxhim të politikës ditore, në promovimin e standardeve të tejkaluara, sipas strategjive dhe interesave të brishta partiake, gjendja politike e kulturore do të hyjë edhe më tej në kaos të papërmirësueshëm. Kushedi sa parti të vjetra e të reja të formohen e t’i nazohen kohës, gjendja nuk do të ndryshoj për të mirë, po qese nuk respektohen hierarkitë e vlera të përgjithshme. Edhe më tej do të kemi vështirësi e krizë kolektive. Këtë mënyrë të brishtë të funksionimit politik e aplikojnë edhe shumë asociacione kulturore qeveritare dhe jo qeveritare. Ka individë që luftojnë me çdo kusht të mbeten udhëheqës të këtyre asociacioneve deri në vdekje. Njëmendësia e tyre e ka të pamundur çlirimin e vet nga kthetrat e klisheut të trashëguar despotik stalinist. Ato përzgjedhin këtë formë loje funksionimi nga mungesa e dijes së tyre të kufizuar, nga mungesa alternative e konkurrencës kreative, tolerante, për funksionimin e pluralizmit demokratik të shoqërive, ashtu siç veprojnë shoqëritë e standardizuara në botë. Shumë individë duan të manipulojnë me rrethin, masën, politikën, për të mbetur në fokus të vëmendjes së përgjithshme, e të përjetshme, por kjo është një utopi shkatërruese vetjake, që ka jetën e shkurtë, kundrejt shumicës vëzhguese që presin ndryshime në shoqëri. 



*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.